Presidentja Vjosa Osmani priti në takim tre policët që ishin kidnapuar nga Serbia

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim tre policët e Kosovës, të cilët janë liruar nga paraburgimi në Serbi.

Osmani u ka uruar mirëseardhje policëve dhe në të njëjtën kohë ka falënderuar gjithë Policinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për një mjedis të sigurt dhe të qetë.

“Policia e Kosovës është institucioni kyç për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e njohim përkushtimin dhe sakrificën tuaj, por edhe të të gjitha grave dhe burrave në uniformë policore, të cilët e mbrojnë Republikën në çdo cep”- ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas Presidencës, tre policët e kanë falënderuar Osmanin për pritjen dhe kanë shprehur përkushtimin për vazhdimin e angazhimit të tyre në funksion të sigurimit të një mjedisi paqësor dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Policët, sipas autoriteteve të Kosovës më 14 qershor janë kidnapuar në afërsi të Leposaviqit nga forcat e Serbisë.

Ndaj tre policëve më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin e kryerjes së veprës penale – armëmbajtje pa leje, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.