Foto: Zyra e Presidencës së Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani drekon me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të Borrellit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka drekuar sot bashkë me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në një takim të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell.

Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë edhe presidentët e Shqipërisë, Bajram Begaj, i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është folur për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimit europian për këto shtete.

“Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve”- njofton Zyra e Presidencës.

Lidhur me masat e BE-së ndaj Kosovës, Osmani ka thënë se ato nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut dhe, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve.

Presidentja ka thënë se BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE-në dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde europiane.

Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.