Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës

Presidentja pret në takim lamtumirës ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abott

Presidentja Vjosa Osmani e priti sot, më 13.02.2024, në takim lamtumirës ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili po e përfundon mandatin e tij.

Osmani ka falënderuar ambasadorin Abbott për bashkëpunimin e angazhimin e lartë të tij dhe e quajti atë mik të vërtetë të Kosovës.

Ajo tha se përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, ai ka mbështetur edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.

“Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja i ka uruar atij sukses në angazhimet e mëtejme.

“Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Për përfundimin e mandatit të Abottit, edhe kryeministri Albin Kurti kishte organizuar një pritje më 01.02.2023.

Nicholas Abbott ishte emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë më 31.08.2019.