Presidentja Osmani për vdekjen e Edi Shukriut: Humbje e thellë për dijet shqiptare

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ndarja nga jeta e akademikes Edi Shukriu është humbje e thellë për dijet dhe shkencën shqiptare.

Presidentja Osmani ka thënë përmes një telegrami ngushëllimi se me dhembje të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshës Edi Shukriu, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës, si dhe veprimtare e shquar politike dhe institucionale.

“Ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme”- ka thënë Presidentja Osmani.

Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ka shtuar presidentja, ajo (Edi Shukriu) i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore.

“Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike. Në këto çaste të vështira, bashkëndjej me familjen, miqtë e kolegët e saj. I përjetshëm kujtimi për Edin!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Osmani.

Arkeologia Edi Shukriu, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka vdekur sot në moshën 72 vjeçare. Varrimi i të ndjerës do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.

Vdes arkeologia Edi Shukriu