Kuvendi mban një minutë heshtje për nder të Edi Shukriut

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e parë për sesionin pranveror duke mbajtur një minutë heshtje për të nderuar arkeologen dhe ish-deputeten Edi Shukriu.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Shukriu ka qenë një intelektuale e arkeologe e shquar për vendin dhe në emër të Kuvendit u ka shprehur ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Konjufca theksoi se Shukriu gjithashtu ka qenë deputete e Kuvendit në legjislaturën e parë.

“Dje ndërroi jetë akademikja jonë Edi Shukriu. Lajmin e morëm me pikëllim, Edi Shukriu ka qenë një intelektuale, arkeologe e shquar e popullit tonë, po ashtu shkrimtare e profesoreshë por edhe deputete e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e vet të parë. Në emër të Kuvendit i shprehim ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë dhe propozoj ta mbajmë një minutë heshtje për ta nderuar”- deklaroi Konjufca.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka njoftuar dje për vdekjen e Shukriut.

Edi Shkuriu ishte një emër i njohur në fushën e arkeologjisë, poezisë e veprimtare politike. Ajo inicioi dhe themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi disa lëndë.

Është autore e shumë botimeve monografike nga fusha e arkeologjisë dhe historisë, por, edhe nga fusha e letërsisë.

Edi Shukriu ka lindur në Prizren (1950). Studimet për arkeologji i përfundoi në Universitetin e Beogradit (1972). Ishte bartëse e shumë posteve drejtues e shkencore në disa institucione në vend.

Për kontributin e saj shkencor e latarë është vlerësuar më shumë çmime.