
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ministri Çeku: Edi Shukriu, shembull që duhet ndjekur nga brezat e rinj
Pas lajmit për vdekjen e akademikes, Edi Shukriu, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se arritjet e Shukriut do të mbesin shembull për t’u ndjekur nga brezat e rinj.
“Kontributi i saj si akademike, profesoreshë universiteti dhe shkrimtare ishte i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet një trashëgimi e pavdekshme, duke frymëzuar edhe më tej kultivimin e vlerave krijuese. Familjes, miqve dhe dashamirëve, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”- ka thënë në ministri Çeku, në telegramin e ngushëllimit me rastin e vdekjes së Edi Shukriut.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ndarja nga jeta e akademikes, Edi Shukriu është humbje e thellë për dijet dhe shkencën shqiptare.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka bërë të ditur se sot (e martë), ka vdekur Edi Shukriu.
Ajo ishte një emër i njohur në fushën e arkeologjisë, poezisë e veprimtare e njohur politike. Varrimi i së ndjerës do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.