Vjosa Osmani në takim me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş. Foto: Zyra e Presidencës

Presidentja Osmani në takim me komandantin e KFOR-it: Bandat kriminale serbe akoma janë të lira

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë në vend, e presidentja e falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë për të garantuar siguri në tërë territorin e Kosovës.

Sipas Presidencës, presidentja Osmani potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë.

“Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave të cilat po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se presidentja Osmani potencoi rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit mes KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë.

Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj të vitit të kaluar.

Në njoftim u tha se presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon.

Në maj të vitit 2023 ushtarët e NATO-s u sulmuan në Zveçan gjatë protestave që u mbajtën në zonën veriore për të kundërshtuar betimin e kryetarëve që fituan zgjedhjet e 23 prillit të 2023-ës.

Disa nga pjesëtarët e këtij misioni u lënduan më seriozisht.

Vjosa Osmani në takim me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş. Foto: Zyra e Presidencës