Presidentja Osmani kërkon drejtësi për viktimat e masakrës së Rahovecit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Rahovecit.

Siç dihet, më 19 korrik të vitit 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht afro 150 gra, fëmijë e pleq, të strehuar në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec, sikurse edhe në vendin e quajtur “Tuma”.

“Përkujtimi i sotëm nuk është vetëm një mundësi për ta kujtuar këtë ditë të trishtë, për ta kujtuar të kaluarën dhe për t`i nderuar viktimat, por mbi të gjitha është thirrje për drejtësi. Kujtimi për jetët e humbura e të pafajshme do të jetë i përhershëm, teksa zëri ynë për drejtësi do të kumbojë, deri në triumfin e saj!”, ka thënë presidentja Osmani./ RTKlive