Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
Presidentja nuk do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale deri në vendimin e Kushtetueses
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do e dekretojë Ligjin për pagën minimale deri të përfundojë shqyrtimi i kushtetutshmërisë së tij në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë kjo e fundit që erdhi sot nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”- ka thënë Kupina.
AAK sot ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale.
Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së tha se i janë drejtuar Kushtetueses për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
“I kemi adresuar tri çështje kryesore, e para Këshilli Ekonomik Social nuk është konsultuar asnjëherë për pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante të Qeverisë së Kosovës. E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rast ky që është eklatant e jo vetëm që është shkelje por lidhet drejtpërdrejt që kjo kategori i përfaqëson” – shtoi Tahiri.
Ai shton se ligji i pagës minimale nuk do ketë efekt në terren pasi që në sektorin privat nuk ka pagë nën 260 euro.
Ligji i pagës minimale u miratua javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, në të cilën 60 deputetë votuan pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër.
“Marshi” i kërkesave të veteranëve për përfshirje në Ligjin për pagën minimale