Presidenti ukrainas Zelenskiy: Rusia 'po luan me jetët e të burgosurve ukrainas të luftës'

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka bërë thirrje për qartësi të plotë në rrethanat e rrëzimit të një aeroplani rus në rajonin e Belgorodit që la të vrarë të gjithë pasagjerët në bord, përfshirë edhe ekuipazhin.

Zyrtarët rusë e akuzojnë Ukrainën për rrëzimin e qëllimshëm të transportit ushtarak Il-76 dhe pretendojnë se ai mbante robër lufte ukrainas për shkak të pjesëmarrjes në një shkëmbim. Inteligjenca ushtarake ukrainase ka thënë se nuk kishte informacion “të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ose çfarë ishte në bordin e fluturimit.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, tha se aleatët e saj duhet të “rrisin” sasinë e ndihmës ushtarake që i jepet Ukrainës. Duke shkruar në Politico, Shapps tha: “Ukraina ka bërë një punë të pabesueshme për ta zmbrapsur pushtuesin e saj. Ajo ka rimarrë 50% të territorit të vjedhur nga Rusia… por Kievi ka nevojë për më shumë mbështetje – dhe jo vetëm nga Britania e Madhe”.

Ministri i Financave i Gjermanisë ka thënë se nuk mund ta mbajë më vete aftësitë mbrojtëse të Ukrainës në një afat të gjatë dhe se të tjerët do t’i duhet të rrisin kontributet dypalëshe.

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka thënë se do t’i kërkojë parlamentit hungarez ta ratifikojë ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO “në rastin e parë të mundshëm”, pasi diplomatët thanë se aleatët e Hungarisë janë “të frustruar” nga zvarritja lidhur me këtë ofertë që po vjen nga Hungaria. Suedia aplikoi për t’u anëtarësuar në NATO në maj të vitit 2022, mirëpo pranimi i saj u vonua pasi Turqia dhe Hungaria e ndërprenë procesin e ratifikimit.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka akuzuar rrjetin televiziv amerikan HBO për përzgjedhjen e një aktori serb, për të cilin thotë se e mbështet pushtimin rus të Ukrainës në sezonin e ardhshëm të serialit “The White Lotus”. Millosh Bikoviç mori nënshtetësinë ruse në vitin 2021 dhe u nderua personalisht nga Vladimir Putin për kontributin e tij në artin rus./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala