Presidenti Begaj: Askush nuk ka pse çuditet se pse Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani tha se në takimin mes tyre, vëmendja u përqendrua tek çështjet më të rëndësishme të interesit ndërshtetëror.
“Gjatë bisedave tona sot, vëmendja u përqendrua tek çështjet më të rëndësishme të interesit ndërshtetëror por edhe nevojën e koordinimit më të mirë në funksion të trajtimit me frymë evropiane dhe euroatlantike të çështjes sonë kombëtare në të gjitha aspektet”- tha presidenti Begaj para gazetarëve.
Begaj ka theksuar se askush nuk duhet të çuditet se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë.
“Theksova po ashtu se ashtu se askush nuk ka pse çuditet se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë, kjo ka qenë dhe mbetet. Rikonfirmova edhe një herë mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal e ndërkombëtar” – u shpreh ai.
Më tej, presidenti shqiptar tha se askush nuk mund ta vërë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës, teksa shtoi se Kosovës i duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët ndërkombëtar për situatën në veri.
“Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesorë, SHBA dhe BE, për të gjitha veprimet e ndërmarra. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit, por koordinimi me partnerët, është i domosdoshëm”- tha Begaj.
Presidenti Begaj ka nënvizuar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga SHBA, “është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe atë të OKB-së”.
Presidenti Begaj në mbrëmje do të shtrojë darkë shtetërore për presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova.
Tutje gjithashtu në një komunikatë për media thuhet se gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.