Presidenca: Lista e delegacionit të propozuar nga Kurti mbetet vetëm një dëshirë personale e tij

Zyra për Informim e Presidentit, ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk është konsultuar me Thaçin për Ekipin Negociator në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tyre, me këtë qasje Kurti është duke e shkelur edhe “hierarkinë kushtetuese”.

“Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Presidenca ka thënë se lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.

“Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim”, thuhet më tej në njoftim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, kanë shkëmbyer dy letra mes vete.

Sipas njoftimit të djeshëm, kryeministri në detyrë është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona.

Në letrën e Kurtit thuhet se si kryeministër është  i obliguar sipas Kushtetutës që të themelojë dhe udhëheq ekipin negociator për dialogun.

Kurti ka treguar se përbërja e ekipit do të jetë: 1. Albin Kurti –  Kryeministër dhe Udhëheqës i ekipit negociator, 2. Hashim Thaçi – President, anëtar 3. Vjosa Osmani  – Kryetare e Kuvendit, anëtare 4.  Përfaqësuesi i LVV, anëtar, 5. Përfaqësuesi i LDK, anëtar, 6. Përfaqësuesi i PDK, anëtar, 7. Përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar , 8. Përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar, 9. Përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar ,10. Përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar.

Kurti ka shtuar se ekipet teknike do të emërohen posa të përpilohet lista e çështjeve që duhet të trajtohen, dhe posa të dakordohet ajo bashkërisht në nivel politik.

Kurti letërshkëmbim me Lajçakun, ia tregon planet për përbërjen e ekipit kosovar për dialogun