Kurti letërshkëmbim me Lajçakun, ia tregon planet për përbërjen e ekipit kosovar për dialogun

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, kanë shkëmbyer dy letra mes vete.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se fillimisht Kurti i ka dërguar letër Lajçakut, përmes së cilës i ka uruar atij marrjen e re të detyrës dhe suksese.

Sipas njoftimit, kryeministri në detyrë është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona.

Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ia ka kthyer letrën kryeministrit në detyrë të Kosovës, duke theksuar se emërimi i tij jep sinjale të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog.

“Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur para në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri”, thuhet në letrën e tij.

Lajçak ka shtuar se vendimin e Kurtit për heqjen e tarifës 100 përqind e sheh si shenjën e parë konkrete të vullnetit për të rinisur dialogun, të lehtësuar nga BE-ja.

I dërguari i BE-së mes tjerash i ka përgëzuar institucionet qeveritare në luftën kundër COVID-19.

“Duke pasur parasysh rrethanat e virusit COVID-19, do të më duhet të rregulloj planet e mia për fillimin e punës sime; Do të më pëlqente të të takoja personalisht në ditët në vijim dhe të shkëmbejmë mendime për rrugën përpara. Kjo nuk do të jetë e mundur në të ardhmen e afërt; megjithatë, kjo situatë nuk do të më ndalojë të angazhohem”, thuhet në letrën e tij.

Emisari evropian ka shtuar se do të kontaktojë Kurtin dhe udhëheqjen politike në Kosovë, në mënyrë që të fillohet bashkëpunim i mirë dhe i frytshëm.

“Në ndërkohë do t’ju inkurajoja të përdorni këtë periudhë të kufizimeve të koronavirusit në mënyrë që të vazhdoni të reflektoni dhe përgatiteni për rifillimin e procesit”, është shprehur ai.

Kurse, në letrën e Kurtit paraprakisht thuhet se si kryeministër është  i obliguar sipas Kushtetutës që të themelojë dhe udhëheq ekipin negociator për dialogun.

Kurti ka treguar se përbërja e ekipit do të jetë: 1. Albin Kurti –  Kryeministër dhe Udhëheqës i ekipit negociator, 2. Hashim Thaçi – President, anëtar 3. Vjosa Osmani  – Kryetare e Kuvendit, anëtare 4.  Përfaqësuesi i LVV, anëtar, 5. Përfaqësuesi i LDK, anëtar, 6. Përfaqësuesi i PDK, anëtar, 7. Përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar , 8. Përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar, 9. Përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar ,10. Përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar.

Kurti ka shtuar se ekipet teknike do të emërohen posa të përpilohet lista e çështjeve që duhet të trajtohen, dhe posa të dakordohet ajo bashkërisht në nivel politik.

“Unë aktualisht jam në proces të planifikimit, për krijimin e një ekipi të profesionistëve dhe ekspertëve tanë më të mirë nga akademia dhe shoqëria civile, të cilët do të përgatitnin dhe zhvillonin dialogun për fusha dhe çështje të caktuara”, thuhet në letrën e kryeministrit në detyrë.

Më 3 prill, BE-ja zyrtarisht e emëroi Miroslav Lajçakun si të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor.

 

Më poshtë mund të gjeni letrën e kryeministrit në detyrë Kurti dhe atë të emisarit Lajçak:

Letra e plotë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti:

SH.T. Miroslav Lajçak

Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian

I nderuar Zotëri,

Ju përgëzojmë për emërimin tuaj si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, dhe si i dërguar special për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju dëshirojmë suksese në pozitën tuaj të re, si dhe në realizimin e detyrave të rëndësishme që ju janë caktuar.

Fillimisht, dua t’ju informoj për situatën me sëmundjen COVID-19 në Republikën e Kosovës. Qeveria deri tani e ka menaxhuar mirë situatën. Institucionet tona e kanë frenuar me sukses përhapjen e saj, duke ndërmarrë masat e duhura dhe të nevojshme, edhe para se të regjistroheshin rastet e para. Në mënyrë që ta mbajmë nën kontroll virusin në mënyrë sa më efektive, ne kemi shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik. Deri më sot, i kemi 125 raste me Coronavirus, prej të cilëve 10 janë shëruar plotësisht, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona. Në frymën e kësaj, unë dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të rikonfirmuar edhe njëherë përkushtimin tonë për fillimin e dialogut, si dhe t’ju informoj për parimet tona udhëzuese.

Si qeveri në detyrë e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. Ne konsiderojmë që të dyja palët duhet të punojnë intensivisht për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të gjitha mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës po ashtu edhe shterrues, të dy vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre bilaterale. Ky është parakusht që dialogu të ketë rezultat të suksesshëm.

Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore.

Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

Marrëveshja duhet të shoqërohet me një paketë masash politike, ekonomike dhe financiare që do të përshpejtonin konvergjencën e standardit të jetesës në të dyja vendet, si dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Si Kryeministër, jam i obliguar sipas Kushtetutës që të themeloj dhe udhëheq ekipin negociator. Prandaj, plani im është që të krijoj një ekip gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore. Përbërja e ekipit do të jetë si në vijim:

1. Albin Kurti – Kryeministër dhe Udhëheqës i ekipit negociator

2. Hashim Thaçi – President, anëtar

3. Vjosa Osmani – Kryetare e Kuvendit, anëtare

4. Përfaqësuesi i LVV, anëtar

5. Përfaqësuesi i LDK, anëtar

6. Përfaqësuesi i PDK, anëtar

7. Përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar

8. Përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar

9. Përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar

10. Përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar

Ekipet teknike do të emërohen posa të përpilohet lista e çështjeve që duhet të trajtohen, dhe posa të dakordohet ajo bashkërisht në nivel politik. Unë aktualisht jam në proces të planifikimit, për krijimin e një ekipi të profesionistëve dhe ekspertëve tanë më të mirë nga akademia dhe shoqëria civile, të cilët do të përgatitnin dhe zhvillonin dialogun për fusha dhe çështje të caktuara.

Në veçanti, duhet të kujtojmë që njerëzit e të dy vendeve tona duhet të jenë përfituesit përfundimtar nga ky dialog, ndryshe nga e kaluara, ku si qëllim i procesit negociator ishte ‘ruajtja e fytyrës’ ose ruajtja e reputacionit të politikanëve dhe udhëheqësve të shtetit. Gjatë dialogut, ne synojmë të maksimizojmë përfitimet që do të sjellë kjo për njerëzit. Prandaj, duhet të bazohet në parimin e vendosjes së drejtësisë dhe barazisë për të gjithë. Shmangia e kësaj, si rezultat natyror i dialogut, do të rrezikonte vetë procesin.

Bashkimi Evropian, si një projekt i paqes dhe mirëqenies sociale, nuk e ka humbur aktualitetin dhe rëndësinë e tij historike. Duke marrë parasysh parashikimin aktual politik dhe historik, Bashkimi Evropian bëhet një domosdoshmëri. Dy shtyllat e tij fundamentale mbeten idealet tona: paqja që përfshin luftën antifashiste dhe progresi i ndërtuar përmes mirëqenies së shtetit. Bashkimi Evropian, si një projekt politik dhe shoqëror i paqes dhe progresit, duhet të mbrohet dhe të ruhet.

Qeveria ime dhe Unë, jemi të vendosur në besimin tonë se e ardhmja e vetme për vendin tonë është integrimi i saj i plotë në Bashkimin Evropian. Ndërsa integrimi i Ballkanit Perëndimor si rajon i tërë në Bashkimin Evropian, përnjëherë për të gjitha vendet, do të ishte me përfitim të madh jo vetëm për ne, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.

Sinqerisht,

­­­­­­­­­­­­­­­­­­______(nënshkruar)_________

Albin Kurti

Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

Letra e plotë e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak

I nderuar Kryeministër Kurti,

Falemnderit për letrën e dërguar më datë 03.04.2020, duke më uruar për marrjen e detyrave si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Jam shumë i inkurajuar pasi lexova në letrën tuaj që Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e Dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.

Emërimi im jep sinjale të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog. Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur para në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur Dialogun e Lehtësuar nga BE.

Këto ditë janë të vështira për të gjithë ne në Evropë, pasi që po përballemi me sfida të pa-përjetuara më herët, në shëndetin tonë publik, shoqëri dhe ekonomi. Dëshiroj t’ju përgëzoj juve, dhe administratën tuaj, për përpjekjet tuaja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit deri më tani. Gjithashtu dëshiroj t’ju siguroj se BE-ja qëndron përkrah Kosovës dhe njerëzve të saj në luftën kundër kësaj pandemie. Ndihma jonë e menjëhershme financiare prej 5 milion Euro për t’i përmbushur nevojat më urgjente në luftimin e koronavirusit, është vetëm fillimi i mbështetjes sonë për Kosovën. Në këtë aspekt, e shpreh me kënaqësi që marrëveshjet e kaluara të dialogut, kanë rezultuar të dobishme për t’ju ndihmuar në trajtimin e krizës së koronavirusit.

Bashkëpunimi rajonal në këto periudha sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e papenguar të mallrave, është thelbësor për të mbajtur në kontroll pandeminë. Gjithashtu në këtë kontekst, unë do të doja të përsëris mirëpritjen e BE-së për vendimin për heqjen e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Kam kënaqësinë të vërej besimin tuaj të vendosur në idealet e Bashkimit Evropian, rëndësinë e tyre dhe përkatësinë e tyre për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se për Bashkimin Evropian dhe vendet e saj anëtare është me rëndësi shumë të lartë të ndihmojmë fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane. Kosova ndan perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe unë besoj se me punën tonë në dialog dhe progresin në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, ne do të mundësojmë progres të mëtutjeshëm në rrugën tuaj evropiane.

Duke pasur parasysh rrethanat e virusit COVID-19, do të më duhet të rregulloj planet e mia për fillimin e punës sime; Do të më pëlqente të të takoja personalisht në ditët në vijim dhe të shkëmbejmë mendime për rrugën përpara. Kjo nuk do të jetë e mundur në të ardhmen e afërt; megjithatë, kjo situatë nuk do të më ndalojë të angazhohem.

Unë do ju kontaktoj ju dhe udhëheqjen politike në Kosovë, në mënyrë që të fillojmë atë që shpresoj se do të jetë një shkëmbim dhe bashkëpunim i mirë dhe i frytshëm midis nesh. Në ndërkohë do t’ju inkurajoja të përdorni këtë periudhë të kufizimeve të koronavirusit në mënyrë që të vazhdoni të reflektoni dhe përgatiteni për rifillimin e procesit.

Sinqerisht i juaji,

Miroslav Lajcak

Z. Albin Kurti

Kryeministër në detyrë i Kosovës