Prapë rritje e çmimit të naftës në Kosovë, Ministria e Tregtisë thotë se janë duke inspektuar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se autoritetet kompetente janë duke inspektuar në teren, pasi sot në mëngjes në Kosovë ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës.

Ministria ka thënë se paralajmërimet e kësaj ngjarje dhe sinkronizimi, sipas tyre, lënë hapësirë për dyshime në orkestrimin e rritjes së çmimit.

Në reagim, Ministria ka bërë thirrje qytetarëve që të adresojnë ankesat, në rast se dyshojnë për keqpërdorim.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i inkurajon qytetarët të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në çdo rast që gjykojnë se ka keqpërdorim, abuzim, në çdo pikë të shitjes që e hasin këtë problem”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Tregtisë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Bejrani, por i njëjti ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.