Prapë probleme me uebfaqe të komunave

Janë bërë tri ditë prej kur klikimet në uebfaqet e komunave të Kosovës përfundojnë me një “Server Error 503”.

Qasja në të dhënat që publikohen në këto uebfaqe iu është pamundësuar qytetarëve, përderisa nga Ministria e Punëve të Brendshme është thënë se janë duke u marr me këtë problem.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga kjo ministri kanë thënë se po shpresojnë që shpejt të bëjnë zgjidhje për këtë problem teknik.

“Jemi duke e trajtuar me urgjencë problemin dhe shpresojmë që shpejt do të bëjmë zgjidhje pasi që është një defekt teknik që po presim ta rregullojmë” – ka thënë MPB.

Jo rrallë herë ndodhë që uebfaqet të bllokohen, e me probleme të tilla qytetarët, dhe jo vetëm, janë ballafaquar edhe gjatë vitit të kaluar.

KALLXO.com në dhjetor 2022 kishte raportuar se si të gjitha Komunat në Kosovë po ballafaqoheshin për rreth shtatë muaj me mos funksionimin e këtyre faqeve.

Përpos kësaj, asokohe kishte filluar edhe një problem tjetër, e që ishte ‘zhdukja’ e vendimeve e dokumenteve nga faqet.

Kjo ishte konfirmuar për KALLXO.com edhe kryesuesi i kolegjiumit për zyrtarët për komunikim me publikun Bekim Dobra, i cili njëherësh është edhe zëdhënës i Komunës së Drenasit.

Sipas Dobrës të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës atëkohë kanë pasur probleme të theksuara me ueb-faqet e tyre për t’i pasur funksionale që nga muaji maj i 2022-ës.

Problemet e komunave me ueb-faqet dëmtojnë transparencën