Porositë dhe pritjet e Amerikës për takimin e Ohrit

Një ditë para takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, një përfaqësues i lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëndroi në Kosovë.

Gabriel Escobar, i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor takoi të premten veç e veç shefen e shtetit, Vjosa Osmani, kryekuvendarin, Glauk Konjufca dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Derisa në takimet me Konjufcën e Kurtin nuk pati deklarime për media, Escobar doli para gazetarëve bashkë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Nga takimi me të parën e shtetit, Escobar tha se pret rezultate pozitive nga takimi Kurti-Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovë dhe Serbisë. Shpresoj që pas të shtunës do të kemi lajme të mira” – tha Escobar para gazetarëve.

“Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit, që të bëhen anëtare të plota të komunitetit euroatlantik” – deklaroi ai.

Ai dha edhe njëherë mbështetjen e SHBA-së për propozimin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Mendojmë që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonin, që të zhbllokohen disa prej burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetes dhe tërë Evropës” – tha ai.

Rezultate pozitive nga takimi i së shtunës pret edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Kosova do të vazhdoj të angazhohet me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive, siç ka bërë gjatë gjithë këtij procesi, e sidomos tani, duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër” – tha ajo në konferencë për media.

“Ne besojmë fort, se një marrëveshje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse, ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon me ketë mendësi dhe shpresë për një rezultat pozitiv” – deklaroi para gazetarëve shefja e shtetit.

Sipas saj, një marrëveshje e mundshme Kosovës do t’i sillte shumë të mira në rrugën e saj drejt institucioneve ndërkombëtare dhe integrimit.

“Çdo tendencë që Serbia ka për të penguar këtë qasje, mund ta dëmtoj procesin e tërësishëm të dialogut. Pritshmëria ime si presidente është se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të siguroi integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të siguroi integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë me shpërbërjen efektive të menjëhershme të strukturave ilegale të Serbisë” – tha ajo.

Në fund, ajo tha se do të ruhet integriteti i shtetit.

“Është me rëndësi të përsërisë se, rendi Kushtetues i Kosovës, integriteti territorial e sovraniteti i vendit si dhe funksionaliteti i Kosovës të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator” – deklaroi presidentja Osmani.

Deklarime pas takimit me përfaqësuesin amerikan pati edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel” – tha Konjufca në një postim në rrjetin social Facebook.

“Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” – deklaroi ai.

Konjufca pas takimit me Escobar: Për dallim nga Serbia, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv në dialog

Deklarime pas takimit mes kryeministrit Kurti dhe Escobar nuk pati ndërsa as një komunikatë për media nga ZKM nuk është dërguar ende në adresë të mediave.

www.kallxo.com