Konjufca pas takimit me Escobar: Për dallim nga Serbia, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv në dialog

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot po zhvillon takime me zyrtarët e lartë të shtetit. Në mëngjes, ai takoi presidenten Vjosa Osmani, ndërsa në takim e priti edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Kosova është treguar konstruktive gjatë gjithë kohës në dialogun Kosovë-Serbi.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel” – tha Konjufca në një postim në rrjetin social Facebook.

“Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” – deklaroi ai.

Në një konferencë të përbashkët për media, presidentja Osmani dhe Escobar thanë se presin rezultate pozitive nga takimi që pritet të mbahet nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Osmani pas takimit me Escobar: Kosova me qasje konstruktive në takimin e Ohrit

www.kallxo.com