Policia tregon pse e ndaloi rrënimin e ish-objektit të Gjykatës në Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë në orët e hershme të mëngjesit kishte filluar punimet për rrëzimin e ish-objektit të Gjykatës Komunale, por u ndalua nga ana e disa aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kishin njoftuar Policinë e Kosovës.

Këta të fundit në një përgjigje për KALLXO.com kanë dhënë detaje sa i përket kësaj çështje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, ka bërë të ditur se kanë qenë të njoftuar qysh mbrëmë për rrënimin e këtij objekti, por sot përsëri kanë pranuar një njoftim dhe policia ka ndërprerë punimet.

“Policia e ka pranuar njoftimin mbrëmë se do të rrënohet sot objekti dhe sot ka dal kompania për rrënim. Mirëpo, prapë sot ka ardhë një njoftim nga disa qytetarë dhe nga Ministria e Kulturës që objekti është në vlerësim. Policia ka kërkuar që të ndërprehen punimet përkohësisht dhe janë ndërpre punime nga ana e kompanisë. Nuk ka pasur ndonjë të arrestuar në këtë ngjarje”, tha Prekazi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, po ai nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe as mesazheve. Ndërsa, menaxheri i kontratës bëri të ditur se kanë respektuar kontratën me operatorin ekonomik.

KALLXO.com raportoi më herët për nisjen e punimeve për shembjen e objektit të ish-Gjykatës nga ana e Komunës, përkundër se një gjë e tillë është kundërshtuar nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe është duke u vlerësuar nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Komuna e Vushtrrisë po synon që këtë objekt ta rrënoj dhe të bëjë ndërtimin e sheshit, por qysh nga fillimi i kësaj iniciative është hasur në kundërshtim nga ana e aktivistëve të shoqërisë civile dhe nga opozita.

Rrënimi i objektit të ish-Gjykatës, flasin nga Komuna e Vushtrrisë

.