Rrënimi i objektit të ish-Gjykatës, flasin nga Komuna e Vushtrrisë

Menaxheri i Kontratës për rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale në Vushtrri, Nexhat Merovci, ka dhënë sqarime për KALLXO.com pse kanë vendosur që të rrënohet sot ky objekt nga ana e komunës si dhe ka dhënë detaje sa i përket ndërprerjes së këtyre punimeve.

Sipas tij, në bazë të kontratës punimet do të duhej të fillonin më 22 maj 2021.

“Sipas kontratës punimet është dashur të fillohen më 22.05 2021. Në kontratë kam të shkruar ditë kalendarike që do të thote se jam në vonesë për një ditë”, tha Merovci.

Tutje ai shtoi se për shkak të rezistencës së disa qytetarëve, ai e ka njoftuar policinë dhe jo arkitekti, Bledian Salihu, i cili për KALLXO.com më herët tregoi se ai e ka njoftuar Policinë.

“Tani kemi pakënaqësi të disa qytetarëve dhe disa tjerë që janë për rrënim, andaj unë si menaxher i kontratës njoftova policinë dhe bazuar në këtë policia vendosën që të ndërpriten punimet përkohësisht deri në ndonjë vendim të ardhshëm”, tha Merovci për KALLXO.com.

KALLXO.com më herët raportoi se Komuna e Vushtrrisë sot ka filluar rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale, por u pengua nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga opozita.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për përjekjet e qeverisë së Xhafer Tahirit për ta rrënuar objektin e gjykatës, veprime këto që janë kundërshtuar edhe nga Ministria e Pushtetit Lokal – LINK 

https://kallxo.com/lajm/arkitekti-nga-vushtrria-tregon-si-e-ndali-rrenimin-e-ish-objektit-te-gjykates/