Policia: Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës në Zubin Potok, as ndonjë përleshje të armatosur

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë në Zubin Potok.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri me askënd” – ka thënë ai.

Në anën tjetër edhe këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë përleshje. Sipas tij, strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë po gjuajnë me armë.

Vela ka thënë se media pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë.

“Mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin afër Zubin Potokut” – ka thënë ai.

Tash e disa ditë veriu i Kosovës i ka rrugët e bllokuara nga 11 barrikadat që janë vendosur pas arrestimit t ëish zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste.

Lidhur me largimin e këtyre barrikadave krerët e vendit kanë thënë se janë në pritje të KFOR për të vepruar, ndonëse ditëve të fundit kanë thënë edhe se mund t’i largojnë vetë ato nëse KFOR lajmëron për pamundësinë e një veprimi të tillë.