Policia në Shtërpcë kap në flagrancë 17-vjeçarin duke transportuar ilegalisht dru

Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë në fshatin Brod një 17-vjeçar, i cili ishte duke transportuar ilegalisht dru në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Policia ka bërë të ditur se ka konfiskuar automjetin xhip për dokumentacion të parregullt dhe drejtuesit i ka shqiptuar gjobë për mungesë të patentë shoferit dhe për shkak se automjeti ishte pa regjistrim.

Organet e rendit kanë njoftuar edhe zyrtarët nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shqiptuar fletëparaqitje ndaj personit për transport ilegal dhe drunjtë më pas i kanë konfiskuar.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim nëse kanë informacione rreth prerjes, transportit apo shitjes ilegale të druve.