Policia në Shqipëri has në rezistencë gjatë kontrollit në kampin e muxhahedinëve

Me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), Policia e Shtetit në Shqipëri sot ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyreve në kampin e muxhahedinëve (MEK) në Manëz të Durrësit.

Mirëpo, gjatë kontrollit Policia e Shtetit dyshohet se ka hasur në rezistencë nga banorët brenda kampit MEK.

Si pasojë, Policia dyshohet se ka përdorur gaz lotsjellës, për shkak të rezistencës së banorëve.

Me këtë rast po raportohet se ka vdekur një person gjersa po thuhet se ka dhjetëra të plagosur, me probleme frymëmarrjesh, djegie sysh që po trajtohen në kamp.

Zëdhënësi i shtypit të kampit Ashraf, Shahriar Kia ka akuzuar Policinë duke thënë se njëri prej banorëve është vrarë nga ta.

Top Channel ka raportuar se xhamat e makinave të policisë janë thyer nga anëtarët e kampit, ndërsa kanë zbarkuar edhe forcat speciale RENEA.

“Një banor i Ashrafit u vra nga sulmi i policisë. Ky veprim është vetëm për të qetësuar mullahët iranianë që po bien. Ky aksion është i ngjashëm me atë të 17 qershorit që u zhvillua në Paris, por ky është në kufirin e Shqipërisë. Ky është një nga ditët më të zeza në Shqipëri”- raportohet të ketë thënë Shahriar Kia.

Hedhja e gazit lotjsellës po dyshohet të ketë ndodhur pasi iranianët nuk e kanë lejuar hapjen e derës.

Përmes një postimi në Facebook, Policia e Shtetit ka deklaruar se gjatë kontrollit janë respektuar etika dhe të drejtat e njeriut.

“Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp”- ka thënë Policia e Shtetit.

Me një reagim ka dalë edhe Ministria e Brendshme e Shqipërisë e cila ka thënë se prej këtij operacioni të Policisë nuk ka pasur të vdekur dhe as të lënduar.

“Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”- ka thënë Ministria përmes një postimi në Facebook.

Ky insitutcion ka thënë se operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”- ka thënë ky institucion.

Sipas Ministrisë, ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla.

Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit”- thuhet në postimin e bërë në Facebook.

Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në 2013-tën pas një marrëveshjeje me qeverinë e atëhershme shqiptare, të drejtuar nga Sali Berisha.

Aktualisht, rreth 3,000 anëtarë të MEK, e cilësuar si opozita iraniane në mërgim vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3.