Drejtori i Policisë së Shqipërisë flet për vdekjen e një personi gjatë kontrollit në kampin e iranianëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, ka deklaruar se 15 policë janë dëmtuar gjatë kontrollit në kampin e muxhahedinëve (MEK) në Manëz të Durrësit, transmeton Top Channel.

“Kemi të dëmtuar 15 punonjës policie. Janë dëmtuar 21 shtetas, ku 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë rikthyer në vendbanimin e tyre” – tha ai.

Lidhur me vdekjen e një personi në këtë kamp, gjatë kohës së kontrollit, ai tha se është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

“Në qendrën e emergjencës së tyre ndodhej banori që ka ndërruar jetë. Gjatë kohës që kryheshin veprimet, nga drejtuesit e MEK jam bërë me dije se në qendrën e emergjencës ndodhej një banor i tyre. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, OPGJ të Durrësit, për të shmangur konfliktin e interesit të Policisë. Por ju siguroj që pas daljes së ekspertizës do të nxirrni konkluzionin tuaj” – u shpreh Drejtori i Policisë.

Rrumbullaku tha se në 8 të mëngjesit, janë takuar bashkë me 6 drejtuesit e kampit MEK dhe fillimisht kanë gjetur mirëkuptimin e tyre.

“Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para, ku pas takimit zyrtar jemi adresuar në hyrje të kampit, ku kemi kërkuar hapjen e portave. Bashkë me drejtuesit jemi futur në ambientet e të gjithë territorit” – ka deklaruar ai.

Pas dy orëve kontroll, Drejtori i Policisë tha se është konstatuar paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës sa i takon evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike dhe ka filluar, siç thotë ai rezistenca e organizuar e kampit MEK.

Ai shtoi se veprimet e policisë kanë qenë totalisht të ligjshme dhe se është përdorur vetëm sprej, i cili sipas tij nuk ka sjellë asnjë pasojë te rezidentët.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi u shpreh i keq ardhur madje i indinjuar me reagimin e anëtarëve të organizatës MEK ndaj policisë së shtetit gjatë aksionit, transmeton Top Channel.

“Ndihem i keqardhur se Shqipëria u ka ofruar gjithçka që lidhet me strehimin e tyre për qëllim humanitar sipas marrëveshjes. Iu ka ofruar ndihmë, siguri, madhe iu ka ofruar edhe mbrojtje ndaj kërcënimeve që vinin nga shërbimet sekrete të Iranit. Ata për më shumë se 3 mijë ditë kanë jetuar në siguri të plotë në garancinë tonë” – tha Çuçi.

Ai këtë e konsideroi mosrespektim të marrëveshjes.

“Aktiviteti i tyre politik kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e SPAK e cila ka nisur më shumë se një çështje penale me këtë gjë. Asnjë nuk ka të drejtë të kundërshtojë vendimet e gjykatës“-tha ministri Çuçi.

Ky kontroll është bërë me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).

Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në 2013-tën pas një marrëveshjeje me qeverinë e atëhershme shqiptare, të drejtuar nga Sali Berisha.

Aktualisht, rreth 3,000 anëtarë të MEK, e cilësuar si opozita iraniane në mërgim vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3.