Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia në Prishtinë brenda një jave sekuestroi 11 armë dhe shqiptoi mbi 4,400 gjoba trafiku

Policia e rajonit të Prishtinës gjatë javës së kaluar ka shqiptuar 4,438 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, për sa kohë që ka realizuar edhe 226 urdhëresa të gjykatës dhe ka sekuestruar 11 armë zjarri.

“Në lokacione të ndryshme e aksione të ndara, janë realizuar 226 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 48 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj. Konform urdhëresave, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”-bëhet e ditur në një komunikatë të Policisë.

​ Aktivitete policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.

“Janë sekuestruar 11 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”- thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, aktivitete policore pati edhe në sigurinë e trafikut.

“Kanë rezultuar me shqiptimin e 4,438 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor”- thuhet në njoftimin e policisë.