Policia/Ilustrim

Policia ndërmerr masa ndaj shoferit i cili voziste në kahje të kundërt në autostradë

Policia e Kosovës ka njoftuar për masat e ndërmarra ndaj një shoferi i cili kishte vozitur në kahje të kundërt të autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas njoftimit të policisë, pas publikimit të informacionit se në autostradën Prishtinë – Prizren një veturë po ecën në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe po rrezikon edhe pjesmarrësit e tjerë në komunikacion, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme duke shqiptuar gjobë ndaj vozitësit të kësaj veture.

“Me datë 22 qershor në media është shfaqur një video-incizim në të cilin shihej teksa një automjet ishte duke qarkulluar në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”.

Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tutje ka bërë të ditur se pas hetimeve intensive, është identifikuar koha e lëvizjes së veturës së cekur më lartë, si dhe përmes targave të saj është gjetur dhe pronari i veturës i cili është kontaktuar përmes telefonit sot.

“I njëjti është paraqitur në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili lidhur me rastin është intervistuar dhe të njëjtit i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje”, thuhet në njofitmin e policisë.

Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që në çdo rast të shkeljes së rregullave të komunikacionit rrugor, dhe jo vetëm, të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mirren masat adekuate për parandalimin e rasteve të tilla, me qëllim të ofrimit të sigurisë në një nivel sa më të lartë në komunikacion dhe jo vetëm.