Ferizaj, po voziste ndonëse e kishte të ndaluar, i hiqet patentë shoferi edhe për 6 muaj të tjerë

Policia në Ferizaj e ka ndalur duke vozitur një person, të cilit i ishte ndaluar drejtimi i automjeteve për 6 muaj.

Për këtë arsye, 25-vjeçarit i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje në vlerë 300 euro dhe i është ndaluar vozitja edhe për 6 muaj të tjerë.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari e kishte të ndaluar drejtimin e automjeteve për 6 muaj, prej datës 02.11.2023 deri më 02.05.2024.

“Policia Rajonale e Komunikacionit Rrugor me datën 18.03.2024 rreth orës 19:00 në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Slivovë të Ferizajt ka ndaluar shoferin A.L (M/K) i moshës 25 vjeçar, i cili ka drejtuar veturën e tij nën masën mbrojtëse që e kishte të ndaluar drejtimin për 6 muaj, prej datës 02.11.2023 – 02.05.2024” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Prandaj, sipas Policisë, atij i është shqiptuar gjobë tjetër për kundërvajtje 300 euro dhe vazhdim i masës mbrojtëse – heqje e patentë shoferit edhe për 6 muaj të tjerë, nga data 02.05.2024 deri më 02.11.2024.

Policia Rajonale e  Ferizajt u ka bërë thirrje shoferëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.