Policia ndalon një autobus në Jarinjë, dyshohet se kontrabandonte laptopë e telefona - FOTO

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës


Policia e Kosovës ka njoftuar se sot  rreth orës 06:08, në pikën e kontrollit tek Ura e Bistricës, magjistralja Mitrovicë-Jarinjë, kanë ndaluar një autobus, me vozitës të nacionalitetit serb i cili ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Leposaviqit në drejtim të Mitrovicës.

Tutje policia sqaron se gjatë kontrollimit është vërejtur se në bagazhet e autobusit ka një sasi të madhe të mallit që dyshohet i kontrabanduar nga Serbia (laptop, monitor, pjesë kompjuterike, telefona, pjesë të telefonave mobilë, pjesë të automjeteve).

Sipas Policisë, për të gjitha rrethanat e rastit është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij është iniciuar rasti ‘kontrabandim me mall’.

“Malli dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme ligjore, ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në njoftim.