Ilustrim

Policia e Kosovës arreston dhe pastaj liron një qytetar serb në Jarinjë, reagon Petkoviq

Një qytetar i nacionalitetit serb është arrestuar gjatë ditës së sotme në pikën kufitare në Jarinjë nën dyshimin për shpërdorim të pasurisë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, i cili ka thënë se personi në fjalë është liruar pas intervistimit.

“72-vjeçari, B.B. është arrestuar sot rreth orës 12:00 në Jarinjë, i dyshuar për veprën penale ‘shpërdorim i pasurisë’. Ai është intervistuar në Drenas, e më pas është liruar”, ka thënë ai.

Për arrestimin e këtij qytetetari ka reaguar kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkobviq i cili ka thënë se lirimi ka ndodhur pas “aksionit politik dhe diplomatik të Beogradit”.

“Branko Banjac, i cili u arrestua me forcë sot në Jarinje, pa asnjë shpjegim apo bazë, është liruar pas aksionit politik dhe diplomatik të Beogradit. Ai dyshohet se është arrestuar “gabimisht”. A do t’i kërkojë dikush falje Brankos dhe familjes së tij për stresin që pësuan dhe do të përgjigjet për të?”- ka shkruar ai në Twitter.

Sipas tij arrestimi i këtij qytetari ka ndodhur “gabimisht”.

“Si ndodh që vetëm serbët arrestohen gabimisht? Të tilla ‘rrëmbime’ të serbëve të pafajshëm janë një metodë standarde e frikësimit me të cilën policia e Kurtit përpiqet të krijojë një ndjenjë të përgjithshme kërcënimi në mesin e popullit serb në Kosovë”- ka shkruar ai.