Policia konfirmon se alarmi për bombë në Aeroport ishte i rremë

Policia e Kosovës ka njoftuar se alarmi për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është i rrejshëm.

Policia ka thënë se pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në aeroport, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, është vërtetuar se këto informacione kanë rezultuar të jenë të rrejshme.

“Puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre”, ka thënë Policia .

Lidhur me rastin, edhe zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara ka thënë se alarmi për bombë në aeroport ka rezultuar i rrejshëm.

Ajo ka thënë se pasi janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës, ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm.

Gara ka treguar se aeroporti është i hapur për fluturime dhe se të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht!

Policia kishte njoftuar se përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport.

Në njoftim është thënë se bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti.

Tutje është thënë se Policia ka angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë, K-9.

Policia ka thënën se po ashtu ka ndërmarr veprime konkrete duke evakuuar personat/qytetarët në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet tjera relevante.

Alarmi për bombë në Aeroport, sërish i rremë