Barikadat ne Veri

Foto - Afrim Ejupi

Policia jep detaje se çka gjeti në dy bastisjet në veri

Policia e Kosovës dje ka kryer dy bastisje në Banjskë dhe Lozhistë. Bastisjet kanë të bëjnë me barrikadat që janë vendosur në dhjetor të vitit 2022.

Organet e rendit kanë njoftuar se me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë kontrolluar shtëpitë e dy të dyshuarve.

Gjatë kontrollit Policia ka gjetur dhe konfiskuar, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, dy telefona, një tytë e trombllonit, dy CD, disa dokumente, një bateri e dorës dhe një këllëf i armës.

Njësitet relevante janë duke u marrë me rastin, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Për tri javë me radhë disa nga rrugët e veriut ishin bllokuar nga automjete të rënda në dhjetor të vitit 2022.

Barrikadat ishin vendosur pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste.

Pantiq dyshohet se më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmet që ndodhën në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.