Policia jep detaje për aksionin e djeshëm të arrestimeve në rajonin e Dukagjinit

Polica e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksionit të djeshëm ku u arrestuan 8 zyrtarë komunal në katër komuna të rajonit të Dukagjinit, në Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog.

Sipas Policisë nga aksioni u arrestuan 8 persona, 6 burra dhe 2 gra, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas PK-së, të arrestuarit dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku kanë lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me legjislacionin ne fuqi.

Policia thekson se si prova materiale janë konfiskuar tri shtëpiza kompjuterike, një laptop, 11 telefona mobile, katër CD si dhe disa folderë me dokumente të ndryshëm.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

KALLXO.com dje ka raportuar se në mesin e të arrestuarve të djeshëm nga ky aksion i gjerë janë Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.

Prokurorja paralajmëron vazhdimin e aksionit: Ky është vetëm fillimi