ILUSTRIM

Policia jep detaje për aksidentin e rëndë në Drenas

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka deklaruar se në aksidentin e trafikut në rrugën Drenas – Komoran kanë mbetur të lënduar 8 persona.

Në këtë aksident, i cili ka ndodhur saktësisht në fshatin Zabel i Ulët, janë përfshirë një kombi me udhëtarë dhe një veturë.

“Ju informoj se rreth orës 14:45 në rrugën Drenas – Komoran në fshatin Zabel i Ulët është shkaktuar një aksident trafiku me lëndime trupore ku të përfshira në aksident ishin një automjet-kombi me udhëtarë dhe një veturë, ku si pasojë e aksidentit janë lënduar 8 persona të cilët janë transportuar për në emergjencë në Prishtinë”, ka thënë Hoxha.

Më tej, zëdhënësi i Policisë, Hoxha ka thënë për shkak të procedurave që janë kryer pas aksidentit,  ky aks rrugor ka qenë i mbyllur dhe i njëjti është hapur në orën 17:00.

“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e aksidentit dhe kanë kryer procedurat e nevojshme lidhur me hetimin e shkaqeve të këtij aksidenti, prandaj deri në kryerjen e këtyre procedurave ky aks rrugor ka qenë i mbyllur për t’u hapur prapë për qarkullim rreth orës 17:00”, ka deklaruar Hoxha.

Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që gjatë qarkullimit me automjetet e tyre të jenë më vigjilent dhe shpejtësinë e automjeteve ta përshtatin me kushtet e rrugës dhe shenjat e kufizimit të shpejtësisë në trafik t’i respektojnë me përpikëri.

“Përndryshe Policia e Kosovës vazhdon dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e trafikut rrugor dhe zero tolerancë do të aplikohet në këtë aspekt, me të vetmin qëllim sigurinë më të madhe në rrugët tona dhe shmangien e aksidenteve rrugore”, ka përfunduar ai.