Policia jep detaje rreth aksidentit me fatalitet në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksidentit në Bresje të Fushë Kosovës, ku mbet i vdekur një këmbësor.

Në njoftimin e PK-së thuhet se njëri nga vozitësit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njëri nga vozitësit mashkull kosovar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje” – thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Personi i cili mbetur i vdekur nga një aksident trafiku në Bresje të Fushë Kosovës mëngjesin e së martës,  po mbahej në qendrën korrektuese të Smrekonicës nga ku kishte dal për të shkuar në vendin e punës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) njoftoi për vdekjen e F.A. i cili, sipas udhëzimit administrativ, po punonte jashtë qendrës, në një biznes privat.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik, se në një aksident trafiku ka ndërruar jetë i burgosuri, F.A.. I njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku kishe dalë sot rreth orë 06:35 për të shkuar në vendin e punës, ku sipas Udhëzimit Administrativ për punë jashtë institucioneve korrektuese, MD-nr. 04/2023, po punonte jashtë në një biznes privat” – thuhej në njoftim.