Policia i gjen një të dyshuari armë e shumëçka të ndalueshme që mbante në veturë e shtëpi

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person pasi ai mbante armë pa leje, dhe i janë gjetur edhe mjete tjera të ndalueshme.

Të dyshuarit, sipas Policisë, në veturën e ndaluar nga organet e rendit në Fushë Kosovë, i janë gjetur dhe konfiskuar gjashtë fishekë, dy shufra hekuri, një antishok, sëpatë, një thikë, një brisk, një kaçavidë dhe dy sprej.

Sipas Policisë, vetura e të dyshuarit ka qenë e pa doganuar dhe është sekuestruar dhe dërguar në terminal doganor.

“Gjithashtu gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit, në njërën nga dhomat janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie me dhjetë fishekë”, thuhet në raportin e Policisë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.