Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia godet rrjetin e dyshuar për trafikim me njerëz, gjen 21 vjeçarin duke bashkëjetuar me 13 vjeçaren

Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve se në dy shtëpi po qëndrojnë disa shtetas të huaj të cilët mund të ishin viktima të trafikimit me qenie njerëzore, ka zhvilluar bastisje.

Policia ka bërë të ditur se në ato dy lokacione ka hasur në 26 persona, prej tyre 13 fëmijë,  të cilët ishin kryesisht në lidhje familjare dhe vinin nga Shqipëria.

Sipas policisë, në mesin e këtyre personave është hasur edhe  i dyshuari M.S. 21 vjeçar, shtetas i Shqipërisë, i cili ishte duke bashkëjetuar me një shtetase të Greqisë të moshës 13 vjeçare.

Policia në konsultim me prokuroren e  rastit ka iniciuar veprën penale ‘bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa viktimës i është ofruar strehim dhe trajtim sipas Proceduarve Standarde Vepruese të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Po ashtu, përmes ILEC-ut është njoftuar zyra greke në Prishtinë për shtetasen e tyre.

Kurse, 24 persona të tjerë të hasur në ato dy lokacione, janë trajtuar nga zyrtarë policorë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj.

Të njëjtit, përmes Pikës Kufitare në  Vërmicë, janë kthyer në Shqipëri.