Policia e Shqipërisë bastis shtëpinë e Ervis Martinajt, konfiskon mijëra municione luftarake

Policia e Shqipërisë ka bastisur sot shtëpinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt dhe dy shtetasve të tjerë, në fshatin Fushë Kuqe të Lezhës.

Përmes një komunikate për media, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë kësaj bastisje janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri; 1 silenciator; mijëra municione luftarake; radio; fenelina; uniforma policie; maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia ka bërë të ditur se bastisjet janë kryer pas urdhërit të Gjykatës së Posaçme  të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK).

“Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Shtetit ka thënë se provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.