Policia e Kosovës: Gjobitja për targat ilegale fillon më 22 nëntor

Gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë më 22 nëntor dhe jo më 21 nëntor, ashtu siç parashihej në vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se masa e qortimit do të vazhdojë deri më 21 nëntor (e hënë).

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Në kominikatë bëhet e ditur se nga data 1 nëntor 2022 pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa ilegale në Kosovë, nga Policia iu është shqiptuar masa e qortimit që deri sot në mesditë, janë shqiptuar rreth 1,740 qortime.

“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një (1) Nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime”- njofton Policia.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor për televizionin Prva.

Nesër është paraparë edhe një takim në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksanda Vuçiq.