LAJMI I FUNDIT - Policia KS2

Policia e Kosovës futet brenda manastirit në Banjskë

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda Manastirit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në manastirin e Banjskës, që nga orët e para të mëngjesit po qëndronin pjesëtarë të një grupi kriminal terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë pjesëtarin Afrim Bunjakun.

KALLXO.com merr vesh se ekipet e policisë tashmë kanë hyrë brenda manastirit dhe janë duke bërë identifikimin e personave brenda këtij institucioni e më pas do të shqyrtohet mundësia nëse të njëjtit do të dërgohen të gjithë për intervistim, kjo pasi që disa prej personave që kanë qenë brenda janë civilë e të tjerë dyshohet se mund të jenë persona që kanë bashkëpunuar me të dyshuarit për sulme.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.