Foto: Policia e Shtetit

Policë të Shqipërisë angazhohen në ofrim të sigurisë në ndeshjen Itali-Shqipëri në Dortmund

Punonjësit e Policisë së Shqipërisë janë angazhuar gjatë ditës së sotme, së bashku me kolegët gjermanë, në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Itali-Shqipëri, në qytetin e Dortmundit, e vlefshme për Kampionatin Europian të Futbollit “Euro 2024”.

Policia e Shtetit përmes një njoftimi potencon se “Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë bashkëvepruar me Policinë Gjermane për garantimin e sigurisë gjatë grumbullimit dhe marshimit të tifozëve drejt “BVB Stadion” të Dortmundit”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim theksohet se patrullat e përbashkëta policore kanë mbështetur policinë gjermane, duke ndërmjetësuar komunikimin dhe masat policore midis shtetit gjerman dhe tifozëve.

“Për një aktivitet sportiv të sigurt, 580 forca të huaja policore janë dislokuar në Gjermani, të vendosura kryesisht në stacione hekurudhore, aeroporte dhe pikat kufitare, krahas funksionimit të Qendrës Kombëtare të Bashkëpunimit Policor”- thuhet tutje në njoftim.

Kombëtarja e Shqipërisë e nis sot (e shtunë) kampanjën në Euro 2024 me ndeshjen ndaj Italisë në kuadër të Grupit B.