Foto: Pixabay

‘Plus Market’ në Ferizaj fiton betejën kundër kompanisë ‘Coca Cola’ për masën e sigurisë

Gjykata Komerciale ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e kompanisë “Coca Cola” për caktim të masës së sigurisë ndaj maketit vendor “Plus Market” me seli në Ferizaj.

Kompania “Coca Cola” ka kërkuar nga Gjykata Komerciale që të caktohet masa e sigurisë që detyron marketin “Plus Market” që të ndërpres veprimet me të cilat ky market refuzon që të importoj produkte të kësaj kompanie që vijnë nga Serbia.

Kompania “Coca Cola” poashtu ka kërkuar që të ndalohet çdo aktivitet i palës së paditur që shkel të drejtën e propozuesit të markës së regjistruar tregtare, në veçanti importimin, eksportimin, dhe vendosjen në tregun e Republikës së Kosovës së produkteve që përbëjnë shkelje të markës tregtare “Coca Cola”.

Kompania “Coca Cola” mes të tjerash kishte kërkuar që ‘të urdhërohet Dogana e Kosovës që të konfiskojë dhe të shkatërrojë të gjitha produktet COCA-COLA, FANTA dhe SPRITE, që tentojnë të futen apo që ndodhen kundërligjshëm në territorin e Kosovës pa autorizim/pëlqim të paditësit dhe bartësit të së drejtës së markës tregtare, “The Coca Cola Company’.

Kjo kompani kishte kërkuar që të konfiskohen dhe largohen nga tregu i Kosovës të gjithë produktet, COCA-COLA, FANTA dhe SPRITE të importuara pa autorizim tregtar dhe pa autorizim të bartësit të së drejtës së markës.

Në arsyetim të vendimit thuhet se në mënyrë që të caktohet kjo masë e sigurisë duhet të plotësohen kushtet ligjore që të vërtetohet se ekziston kërkesa e paditësit dhe nëse ekziston rreziku se pa caktimin e një mase të tillë do të vështirësohet realizimi i kërkesës nga ana e paditësit.

Mirëpo, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se nuk janë plotësuar këto kushte ligjore prandaj edhe gjykata e refuzon në tërësi një kërkesë të tillë.

Rreth këtij vendimi, KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Asdren Bytyqi, që përfaqëson palën e paditur në këtë rast, “Plus Market”, i cili ka komentuar këtë vendim të gjykatës si një precedent i cili hap dyert për shumë kompani sipas të cilit nuk kanë pasur alternativë tjetër përveç furnizimit me produkte nga Serbia.

“Ky vendim përbën vendosjen e një precedenti dhe njëkohësisht standardi të mirë, duke mbyllur njëherë e përgjithmonë monopolet e importeve nga një vend, ne këtë rast Serbia” – tha avokati Asdren Bytyqi.

Sipas avokatit Asdren Bytyqi, ky vendim është reflektim pozitiv i cili do të ndalojë që një kompani të ketë ekskluzivitetin në një territor të caktuar ashtu siç e ka fabrika e Coca Colës në Serbi për territor të Kosovës, sipas të cilit kjo praktikë po përfundon me vendime të tilla.

Në lidhje me këtë vendim, avokati që përfaqëson kompaninë “Coca Cola” ke refuzuar të komentojë vendimin gjyqësor, mirëpo deklaroi se në momentin e pranimit të vendimit do të paraqesë ankesë në shkallë të dytë.