PISA 2018: Mësimdhënësit e Kosovës entuziastë për punën e tyre

Përveç njohurive dhe shkathtësive në fushën e matematikës, shkencës dhe leximit, nxënësit 15 vjeçar të Kosovës që kanë hyrë në testin PISA 2018, u pyeten edhe për entuziasmin e mësuesve për mësimdhënie, inteligjencën dhe ngacmimet në shkolla.

PISA pyeti 15 vjeçarët nëse ata pajtohen ose nuk pajtohen me deklaratat si në vijim: “Ishte e qartë për mua që mësuesit i pëlqen të na mësojë”; “Entuziazmi i mësuesit më frymëzoi”; “Ishte e qartë se mësuesit i pëlqen të merret me temën e mësimit”; dhe “Mësuesi tregoi kënaqësi në mësimdhënie”.

Nxënësit e Kosovës në këto pyetje kanë paraqitur perceptimet e tyre se mësimdhënësit janë shumë entuziastë kur u japin mësim atyre.

“Studentët në Shqipëri, Kolumbi, Indonezi,Koreja, Kosova dhe Panama perceptuan se mësuesit e tyre ishin ndër më entuziastët, ndërsa studentët në Republikën Çeke, Greqia, Japonia, Letonia, Polonia dhe Republika Sllovake perceptuan se mësuesit e tyre ishin ndër më pak entuziastët”, thuhet në raportin e PISA 2018.

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë. Madje në disa fusha ka edhe regres.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.