Foto: Vesel Krasniqi/Facebook

‘Pingpongu’ mes kryeministrit Hoti dhe ministrit Krasniqi për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kontrollin e naftës

Emisioni “Kallxo Pernime” po transmeton hulumtimin rreth krijimit të trupave inspektuese për kontrollin e cilësisë së naftës.

Në këtë hulumtim ndër të tjera pasqyrohet ‘pingpongu’ i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqit me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

Hoti kërkon shfuqizimin e këtij udhëzimi, ndërsa ministri Krasniqi ka thënë se ky udhëzim nuk do të shfuqizohet.

“Udhëzimi administrativ nuk shfuqizohet sepse është në fuqi. Ne i kemi dërguar sqarime kryeministrit për këtë udhëzim. Ne kemi dhënë sqarimet tona te kryeministri dhe po presim sqarime prej tij pse do ta shfuqizojmë këtë udhëzim administrativ, ende nuk kemi pasur takim për këtë”, tha ministri Krasniqi.

Më 29 janar,  Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.

“Për udhëzimin që e keni fjalën unë e kam me datë 11 janar të zyrës ligjore, që ai udhëzim administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe unë kam dërguar shkresë te ministri që të anulohet ky udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në Qeveri”, pati paralajmëruar Hoti.

Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës këtë vit ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.

Ministria e Tregtisë dhe industrisë ka emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës: kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes.

Valdet Teneqja është baxhanaku i Endrit Shalës, ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

 

Si u emërua kompania e baxhanakut të ish-ministrit për kontrollin e cilësisë së naftës?

Avdullah Hoti ende nuk e shfuqizon udhëzimin që krijon monopol në tregun e naftës