Foto: Avdullah Hoti/ Facebook (Video)
Avdullah Hoti ende nuk e shfuqizon udhëzimin që krijon monopol në tregun e naftës
Deklarata
Avdullah Hoti(29.01.2021)- “Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”
Vlerësimi
Hetimet vazhdojnë
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ende nuk e ka futur në rend dite në qeveri çështjen e shfuqizimit të udhëzimit administrativ që krijon monopol të naftës. Edhe përtej afatit që i kishte dhënë Ministrit të Tregtisë për shfuqizim, ai i ka dërguar edhe një kërkesë që po ashtu është injoruar nga ministri. Mbetet të shihet nëse në mbledhjen e ardhshme, Hoti do ta vendosë në rend dite në qeveri çështjen e këtij monopoli.
Artikulli
Megjithë kundërshtimin e tij ndaj udhëzimit administrativ të nxjerrë nga Ministria e Tregtisë që krijon monopol të tregut të kontrollit të naftës, Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ende nuk ka arritur ta vendosë në qeveri për votim këtë çështje.
Dy kërkesat e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, ndaj ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kontrollin e naftës si duket kanë hasur në ‘vesh të shurdhër’ .
Kanë kaluar 13 ditë prej kur kryeministri Hoti kishte thënë se i ka dhënë afat Ministrit për shfuqizimin e udhëzimit dhe ka paralajmëruar se çështjen do ta paraqiste në mbledhje të qeverisë.
“Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”, tha Hoti.
Ani pse janë mbajtur dy mbledhje të qeverisë nga ajo kohë, në rend të ditës nuk ka qenë kjo pikë. Më pas, nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se Ministrit Krasniqi i është dërguar edhe një kërkesë e dytë.
Antigona Baxhaku- Idrizi, këshilltare politike e kryeministrit dhe drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit, për KALLXO.com ka konfirmuar se ministri Krasniqi nuk i është përgjigjur as kërkesës së dytë të Hotit.
Ajo ka paralajmëruar se në një nga mbledhjet e ardhshme do të hedhet në rend dite.
“Ministri nuk ka kthyer asnjë përgjigje, mirëpo kryeministri ia ka dërguar një letër në të cilën i ka thënë që nëse nuk vepron do ta vë në votim në mbledhje të qeverisë shfuqizimin e ati udhëzimi. Tash pritet që në mbledhjet e ardhshme, të jetë pjesë e rendit të ditës, qysh edhe e ka premtuar kryeministri Hoti”, tha ajo.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe ministrin Vesel Krasniqi, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.
Më 29 janar, Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri.
Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë në operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.
Kompania që do të ketë monopolin në shenjim/markim të naftës pritet të fitojë miliona euro brenda një viti. Nëse MTI e kontrakton kompaninë për shënjim të karburanteve, siç është paraparë në Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, atëherë do të rritet çmimi i naftës pasi parashihet që për çdo litër të shënjuar të paguhet një në tarifë.
Hulumtimin mbi udhëzimin e lartpërmendur dhe shifrat që parashihen si të hyra në monopol mund ta lexoni në artikullin më poshtë:
Monopoli në tregun e naftës garanton të hyra mbi 15 milionë euro në vit