Pika kufitare në Jarinjë. Foto: KALLXO.com

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim.

Këto dy pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë u mbyllën të dielën nga Policia e Kosovës për shkaqe sigurie, pas sulmit terrorist në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor dhe u plagos një tjetër.

Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, përveç këtyre dy pikave, vendkalimet e tjera kufitare janë të hapura për qarkullim.

Të dielën organet e rendit kanë ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.