Foto: REL

Petrit Selimi: Nuk do ta kisha problem nëse do të rrënohej objekti i shëmtuar i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Pas rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar të Tiranës, kryeshefi i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” për Kosovë, Petrit Selimi, ka thënë se ai nuk do ta kishte problem nëse do të rrënohej objekti i Teatrit Kombëtar në Kosovë, duke e quajtur atë të padenjë dhe të shëmtuar.

“Unë nuk do ta kisha problem fare nëse ndonjë kryetar i Komunës së Prishtinës, do të rrënonte objektin e shëmtuar dhe të padenjë të Teatrit Kombëtar (i cili vetë ishte ndërtuar në vitet 1960 në vendin e një xhamie të vjetër të rrënuar) për ta zëvendësuar atë me një të ri të dizajnuar nga Bjarke Ingels ose Rem Koolhas”, ka shkruar Selimi në Twitter.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ka filluar rrënimi i objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Pas fillimit të rrënimit të këtij objekti grupe të qytetarëve kanë dalë për të protestuar në shenjë pakënaqësie.

Përreth zonës ku ishte Teatri janë vendosur forca të mëdha dhe të ndryshme të Policisë.

Grupe qytetarësh janë grumbulluar në anë të ndryshme të zonës, duke u përplasuar në raste me forcat e rendit.

Më herët, Policia e Shtetit njoftoi për 37 persona të shoqëruar në Polici si dhe për një polic të lënduar nga goditja me mjet të fortë.
Në Kosovë, si kundërshtim i rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar të Tiranës, është anuluar shfaqja “Skenderbeu ose Dashuri dhe Liri”, e cila ka qenë e planifikuar të jepej sonte online në të gjitha faqet e teatrove të Kosovës.