Soliterat

Soliterët në Ulpianë

'Dilemat' për renovimin e 'Soliterëve' të Ulpianës

Soliterët në lagjen Ulpiana të cilët konsiderohen si trashëgimi arkitetonike të kryeqytetit do të “vishen” edhe me një “petk” të modernizmit. Në këta soliterë, që kanë ngritur alarmin që një kohë për nevojën për t’u rinovuar është mirëpritur nga banorët, por në anën tjetër ngrit një dilemë tek ta – sa mund të jenë të rrezikshme ose shqetësuese punimet kur njerëzit banojnë aty?!

Këta soliterët të cilët ndodhen rreth 1.5 km larg qendrës së Prishtinës, i takojnë kohës së Jugosllavisë. Të tillë ka edhe në qytete të tjera të Kosovës dhe vendet e ish-jugosllave.

Solitaire në gjuhën frënge, ka kuptimin e një diamanti të vetmuar për shkak të karakteristikave që ka si një ndërtese e gjatë e cila qëndron e vetme dhe qëndron e distancuar nga “komshinjtë” e saj.

Punimet për renovimin e soliterëve në Ulpianë nisën në muajin qershor për të marrë një pamje të re jashtë por duke mos e humbur identitetin e tyre.

Puna për renovimin e soliterëve në Ulpianë e nisur në kohën e ish-kryetarit Shpend Ahmeti si projekt i Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit – MCC, filloi në muajin qershor të këtij viti në bashkëpunim me Komunën e udhëhequr nga Përparim Rama dhe Ndërmarrjen Publike Banesore.

Fasada e jashtme prej llamarine kishte vjet që ishte e dëmtuar e pjesë të saj binin nga katet e larta, duke rrezikuar kalimtarët e rastit. Disa prej objekteve ishin të zhveshur nga fasada, duke shfaqur materialin izolues të objekteve.

E si rrjedhojë, ky projekt ishte diçka që banorët po e prisnin gjatë. Skelet janë të vendosura në disa prej soliterëve ku puna ka filluar.

Poshtë banesave veprojnë edhe disa biznese, prej tyre kafiteri. Qarkullimi i njerëzve afër Soliterëve është i madh.

Në mes tyre ndodhen rrokaqiejt e fontanës dhe përgjatë parkut janë të vendosura edhe ulëse e tavolina që çdo ditë janë nikoqirë të dhjetëra të moshuarve që luajnë shah.

Përtej asaj, hapësira te Soliterët të dërgon edhe te dy parqe e fusha të sportit në lagjen Ulpiana.

E shiu i verës bashkë me erërat e forta që i sjell herë pas here, ka ngritur shqetësim te banori i njërit soliter, Lot Berisha.

Ai thotë për KALLXO.com se rrezik nga këto skele i konsideron erërat e forta, që sipas tij, e kanë prishur edhe llamarinën e këtyre objekteve.

“Rrezik eventual konsideroj erërat e forta që mund të ndodhin gjatë kryerjes së punës sepse mendoj që mund ta pengojnë punën dhe të paraqesin rrezik si për punëtorët si për banorët por edhe kalimtarët e lagjes apo diçka tjetër pasi erërat e forta i kanë shkatërruar soliterët”, ka thënë ai.

Sipas tij, brengë më e madhe e banorëve është kur të fillojë ndërrimi i dritareve ku banesat e tyre do jenë të hapura, gjë që paraqet shqetësim të sigurisë për gjërat personale.

“Vërejtjet e banorëve apo më shumë si brengë është kur bëhet ndërrimi i dritareve, muratimi që banesat e tyre mos po qëndrojnë të hapura në aspekt të sigurisë (gjësendeve personale) -humbja apo vjedhja e gjërave gjatë natës dhe në aspekt se nëse zgjatë procedura e kanë problem sigurimin e vendbanimit deri sa të bëhet vendosja e dritareve të reja”, shtoi Berisha teksa ngriti edhe nevojën për ndërhyrje brenda ndërtesës – bodrumet e mbushura me ujëra të zeza.

E problem brenda ndërtesës, ai përmendi ashensorët që në të shumtën e rasteve, thotë se janë jashtë funksionit si dhe mungesa e shkallëve emergjente.

Hajrije Loshaj po ashtu banore e njërës nga “Soliterëve”, konsideron se është dashur të largohen banorët deri të përfundojnë punimet.

Ajo potencoi se shqetësim më të madh i ka fëmijët që mund të mos kenë kujdes kur hyjnë e dalin.

” Nuk e di si janë praktikat për këto ndërhyrje por, mendoj që është dashtë të largohen banorët deri të kryhen punët. Ato ditët e para kur nisi vendosja e këtyre rrjetave e sendet tjera, i kam pas fëmijët goxha me merak, non stop duke i paralajmëruar me pas kujdes, sidomos te dera kryesore e hyrjes, se aty është rrezik konstant”, ka thënë Loshaj.

Loshaj me tej theksoi se në ditë me erëra të forta, nuk mund të sigurohen se diçka nuk do bjerë nga skelet.

Kurse, banori Bernard Çavota thotë se shqetësim ka faktin që objektet janë rrethuar me rrjetë e skele, sepse sipas tij, nuk ka mundësi ajrosje.

“Ne kemi pritë gjatë për këtë ndërhyrje, në aspektin e sigurisë nuk di çfarë të them, duket se po shkon mirë. Ajo që po më pengon është që tani është nxehur koha edhe nuk kemi pse i hapim dritaret pasi objekti është i tëri i rrethuar me rrjetë e skele”, ka thënë Çavota.

Ai tutje shtoi se shpreson që këto punime të mos zvarriten më shumë se që është parashikuar nga punëkryesit.

Punimet, sipas MCC-së, parashihet të zgjasin 16 javë që nga fillimi i punimeve.

Në anën tjetër, Kompania Siguria dhe Shëndeti në punë (HSK) për KALLXO.com kanë thënë se ky proces ka problematikat e veta në aspektin e sigurisë për shkak se objektet janë të larta.

“Fillimi i renovimit të këtyre objekteve, sigurisht që paraqet problematikat e veta në fushën e SSHP (Sigurisë dhe Shëndetit Publik) pasi që objektet janë të larta dhe kanë specifikat e veta të rrezikshmërisë, por edhe ma të rrezikshme e bënë gjendjen pasi që ka banorë nëpër këto objekte. Sigurisht që banorët nuk mund të largohen nga këto objekte pasi që nuk është praktikë as te ne si Kosovë po edhe askund tjeter në botë, por që duhet të ndërmirren të gjitha masat e nevojshme konform rrethanave që janë në këto vendpunishte”, thuhet nga HSK.

Sipas tyre, për të shmangur problemet gjatë procesit të punimeve, duhet të merren parasysh masat e parapara me ligj si: Njoftimi i banorëve për procesin e punëve dhe paralajmërimi për rrezikun potencial, shenjëzimi i objektit, sigurimi i hyrjes në objekt, montimi i skeleve në mënyrën e duhur, të mos lihen gjësende në skele pasi mund të bien nga era etj.

Siguria gjatë procesit të renovimit, sipas MCC-së

Sipas të dhënave nga përfaqësues të MCC-së në Kosovë, për kryerjen e punimeve në renovim të soliterëve janë kontraktuar katër kompani: ADA Consulting Group sh.p.k. & SHM Architecture,  2A Group SH.P.K.,  D.P.T. Artdekor & Lesna sh.p.k.  & A&F Construction sh.p.k.  dhe  Construmax Sh.p.k. & HARST Group sh.p.k.  

Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit – MCC, thotë se të gjitha kompanitë që po kryejnë punimet janë trajnuar nga kompania implementuese e projektit për respektim të rregullave.

“Të gjitha kompanitë janë trajnuar nga kompania implementuese e projektit GFA/HPC për respektimin e të gjitha rregullave për mjedis, shëndet dhe siguri në punë (EHSMP), përfshirë obligimin për dorëzimin e planit të menaxhimit mjedisorë, social, të shëndetit dhe sigurisë në punë si parakusht për fillimin e punëve”, thuhet në përgjigjen e MCC-së.

Kompanitë gjithashtu obligohen të respektojnë edhe rregullat e legjislacionit vendor gjatë kryerjes së punimeve.

 “Në bazë te kontratës si dhe planit të lart cekur të aprovuar, kompanitë obligohen të respektojnë dhe të jenë në përputhje me të gjitha rregullat e MCC,  IFC si dhe legjislacionin vendor lidhur me këto çështje”.

Lidhur me rrezikun që mund të paraqesin këto punime në ndërtesa ku ka banorë por edhe operim të disa bizneseve, nga MCC u bë e ditur se punimet do mbikqyrjen nga koncorziumi gjerman si konsulent implemendutes si dhe Komuna e Prishtinës.

Tutje, ata bëjnë të ditur se për këto punime ka më shumë se një vit që komuna dhe Ndërmarrja Banesore (NPB) janë në kontakt me banorët e lagjes.

Lidhur me pengesat që mund të shfaqen për bizneset që operojnë në ndërtesat ku po kryhen punime thuhet se, në shumicën e rasteve këto investime janë mirëpritur nga banorët dhe komuniteti i biznesit.

Investimet në efiçiencë sjellin përfitime të shumta si për banorë ashtu edhe për biznese eventuale, duke zbritur koston e energjisë elektrike apo ngrohjes, duke rritur komforin, por edhe duke shtuar vlerën e ndërtesave dhe patundshmërive për shkak te investimeve te bëra. Prandaj, ne shumicën e madhe të rasteve, këto investime janë mirëpritur nga qytetarët, nga Komunat përkatëse, por edhe nga komuniteti i biznesit”.

Për vendosjen e skeleve, nga MCC thonë se është bërë sipas planeve të aprovuara për mjedis, shëndet dhe siguri në punë.

Nëpër objektet ku kanë nisur punët janë vendosur shenjat paralajmëruese se ka punime dhe mund të ketë rrezik nga rënie e ndonjë objekti, përhapje zjarri ose rrëzim i skeleve.

Ndarja e pagesës për renovimin e soliterëve

Investimi total në renovimin e 5 soliterëve është 2,6 milionë euro, MCC ofron 60 për qind të financimit, Komuna 30 për qind dhe NPB me banorët 10 për qind (5+5) të financimit.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes banorëve, NPB-së dhe MCC-së, fondet e komunës dhe fondet e NPB-së bashkë me banorët mbahen dhe administrohen nga MCC.

Sipas deklarimit të një prej përfaqësuesve të banorëve, NPB në diskutim me banorët u ka dhënë afat të pagesës me kohëzgjatje deri në 7 vite (13-15 euro në muaj), për renovimet në këto objekte.

Derisa, nga pagesa do lirohen kategoritë me rast social, familjet me persona me aftësi të kufizuara, nënat vetëushqyese, gratë e veja dhe pensionistët.

Pagesa e këtyre kategorive të liruara do mbulohen nga MCC dhe NPB, nuk u bartet pjesës tjetër të banorëve.

Në dokumentin e nënshkruar theksohet se NPB dhe banorët i transferojnë fondet në një llogari të specifikuar si ‘llogaria e bashkëfinancimit’.

Punimet në renovimin e soliterëve parashihet të finalizohen deri më 30 shtator 2022.

Projekti per llamarinen e solitereve

Fasada për ‘Soliterët’ është përzgjedhur në bashkëpunim me projektin ‘KEREP’ të financuar nga Banka Botërore.

Sipas të dhënave, do të rinovohet i tërë mbështjellësi i ndërtesave (fasada dhe dritaret), kulmet, hapësirat e përbashkëta, si dhe Ndërmarrja Publike Banesore ka marrë përsipër të rregullojë problemet me instalime të ujit dhe kanalizimit aty ku është e nevojshme.

Prishtina është një nga shtatë komunat e zgjedhura për investim në objekte të vjetra shumëkatëshe që po bëhen me ndihmë të MCC-së.

Komunat tjera përfituese të këtij aktiviteti specifik, në kuadër të projektit “Subvencione për Efiçencë të Energjisë në Kosovë – SEEK” janë Lipjani, Mitrovica, Novobërda, Vitia, Gjakova. SEEK implementohet dhe mbikqyret nga kompania gjermane GFA.