Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq: Sa të jetë Kurti në pushtet, askush në Ballkan s’mund të flejë i qetë

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “kërcënimi më i madh i sigurisë për rajonin”.

Petkoviq ka thënë se përderisa Kurti të jetë në pushtet, askush në Ballkanin Perëndimor “s’mund të flejë i qetë”.

“Serbia është paqësore, por jo e dobët dhe në të kaluarën nuk kishte frikë as nga ngacmuesit më të mëdhenj se Albin Kurti, dhe kjo është përgjigja e të gjitha ëndrrave të tij për një Shqipëri të madhe dhe një lloj njohjeje de facto ose de jure nga Serbia”- ka thënë ai.

Në këtë reagim thuhet se Beogradi “është gjithmonë i gatshëm për diskutime për zgjidhje paqësore”.

“Beogradi është gjithmonë i gatshëm të diskutojë zgjidhjen paqësore të problemeve në rajon përderisa ka shpresë se në këtë mënyrë mund të frenohet çmenduria e dhunshme e Albin Kurtit dhe njerëzve të ngjashëm me të, por nuk do të tërhiqet kurrë”- ka thënë Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se shtetet fqinje nuk mund të ndihet të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e Bashkimit Europian (BE).

I pyetur gjatë Forumit të Paqes në Paris se cilat janë qëllimet e Serbisë karshi Kosovës, Kurti theksoi se “ndarja e saj, apo kompensimet territoriale.”

“Fqinjët e Serbisë, për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu”- tha Kurti.

Kurti: Vendet fqinje s’janë të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e BE-së