Përparim Rama reagon pas dhënies së lejes për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas dhënies së lejes për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë.

I pari i Prishtinës ka thënë se procesi i ndërtimit të xhamisë është vënë në binarët e duhur.

“Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur! Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit” ka thënë Rama në postimin e tij në Facebook.

Ndër të tjera ai ka thënë se banorët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë.

“Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar!”, ka përfunduar kreu i Prishtinës.

Kujtojmë se vendimi për leje ndërtimi për xhaminë qendrore në kryeqytet është marrë sot nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, ku sipas këtij vendimi Bashkësisë Islame i lejohet ndërtimi i kompleksit “Xhamia Qendrore” në kryeqytet.

BIK: Na është dhënë leja përfundimtare për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë

Në korrik të vitit 2020, ndërtimi i kësaj xhamie ishte kundërshtuar nga disa banorë një grup qytetarësh të cilët protestuan kundër ndërtimit të xhamisë përballë Telekomit të Kosovës në Prishtinë.

VIDEO – Protesta dhe kundër-protesta rreth xhamisë së re në Prishtinë

Disa prej tyre kishin kundërshtuar lokacionin ku është përzgjedhur të ndërtohet ky objekt fetar, gjersa disa të tjerë edhe formën e financimit. Kjo pasi që ndërtimi i xhamisë financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë.