Prokuroria e Shtetit, Foto: KALLXO.com

Përfundon intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit

Ka përfunduar zhvillimi i intervistave me kandidatët për kryeprokuror të shtetit.

Në garën për kryeprokuror të shtetit janë: Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë e Prishtinës, Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë së Prishtinës, Lulzim Sulejmani, prokuror në zyrën e kryeprokurorit të shtetit si dhe Shqipdon Fazliu, prokuror në zyrën e kryeprokurorit të shtetit.

Komisioni vlerësues në procesin e intervistimit ka qenë në përbërje të: Jetish Maloku, kryesues, me anëtarët e komisionit prokurorët, Arjana Shajkovci, Bedrie Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Ndryshe nga herë të tjera, intervistat për kryeprokuror të shtetit janë zhvilluar nën praninë e kamerës, çdo intervistë e secilit kandidatë është xhiruar dhe do të transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës.

Të pranishëm në këtë proces kanë qenë monitorues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për tu përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit.

Kandidatët për kryeprokuror paraprakisht ka qenë dashur të dorëzojnë një koncept dokument që shpërfaq strategjinë dhe pikëpamjet për udhëheqjen e këtij institucioni, të cilat mund t’i gjeni të publikuara në ueb-faqen e Prokurorisë së Shtetit.

Kandidatët janë përgjigjur në pyetjet që u janë bërë nga anëtarët e komisionit rreth integritetit, aftësive udhëheqëse dhe menaxheriale si dhe njohurive teknike dhe përvojës për ushtrim të funksionit.

Secili anëtar i komisionit, vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur dhe konfidenciale.

Pas poentimit të kandidatëve nga secili anëtar i komisionit, fletëvotimet do t’i dorëzohen sekretariatit të cilët pas kalkulimit të pikëve, do të dalin me rezultatet.

Në bazë të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e kryeprokurorit të shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial.

Në rastet kur një kandidatë merr më së shumti vota, duke kaluar me vota të përgjithshme, mbi 3% kandidatin e dytë, atëherë emri i këtij kandidati shkon për votim dhe aprovim në këshill.

Në rast se kandidati nuk merr votat e shumicës së të pranishmëve të anëtarëve të KPK-së, atëherë  rishpallet konkursi.

Kurse në rastet kur diferenca në mes të kandidatit të parë dhe të dytë është deri në 3%, atëherë emrat e dy kandidatëve shkojnë për votim në këshill.

Votimi i anëtarëve të KPK-së është i fshehtë.

Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk e merr shumicën e votave, atëherë votimi përsëritet. Nëse edhe pas përsëritjes asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e votave, atëherë konkursi rishpallet.

Kandidati që merr shumicën e votave dërgohet te Presidenti i vendit për emërim.