Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përfaqësuesi ligjor i prindërve në Kamenicë dorëzon kallëzim penal ndaj Qëndron Kastratit

Besim Osmani përfaqësues ligjor i disa prindërve të Komunës së Kamenicës të cilët po kundërshtojnë reformën ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe Drejtoreshës së Arsimit, Mirhane Morina.

Sipas Osmanit, mësimi në Kamenicë pas vendimit të Gjykatës Themelore për pezullimin e një vendimi të Kastratit që është pjesë e reformës në arsim, është dashur të fillojë të hënën dhe ende nuk ka filluar.

“Sot, e kemi dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori, kundër kryetarit të komunës zt. Kastrati dhe kundër drejtoreshës së  DKA-së znj. Morina Bislimi, sepse për mendimin tonë ekziston dyshimi i bazuar se të njejtit kanë kryer veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore” nga neni 394 par. 2 të  Kodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074”, ka shkruar Osmani në facebook.

Osmani pretendon se Komuna nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës për këtë çështje.

“Komuna ka të drejtë të ushtrojë ankesë, por nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të mos e zbatojë vendimin gjyqësor, ngase aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës A.nr.1765/2020, është titull juridik i ekzekutueshëm.Shpresojmë që sa më parë të vendoset ligjshmëria nga organet e drejtësisë, e cila është cënuar seriozisht nga veprimet anarkiste të kryetarit të komunës dhe të DKA-së”, ka theksuar ai.

Më 5 nëntor, Gjykata Themelore ka kërkuar që të pezullohet vendimi i fundit të Komunës së Kamenicës për riorganizmin e shkollave.

Ky vendim përfshinë shkollat në fshatrat: Karaqevë e Epërme, e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë,  Poliçkë, Shipashnicë të Epërme, të Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell, Dajkoc.

Zyrtarja për informim në Komunën  e Kamenicës, Albulenë Bakiu ka thënë që janë duke i përgatitur objektet në mënyrë që mësimi të fillojë normalisht.

Në një përgjigje për KALLXO.com ajo ka theksuar se ndaj vendimit të Gjykatës komuna ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Mësimi momentalisht në këto shkolla të përfshira në fazën e tretë nuk ka filluar ende për shkak se në këto objekte shkollore duhet të bëhet dezinfektimi dhe pajisja me mjete mbrojtëse. Po ashtu duhet të bëhet një risistemim i stafit ekzistues për shkak se kemi mësimdhënës mungesë për shkak të ndarjes së klasave si rekomandim i Ministrisë dhe Institutit, mësimdhënës të liruar për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore, si dhe të risistemuar në Kontratën Kolektive për arsye të tjera”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Mësimi ende nuk filloi në disa shkolla të Kamenicës edhe pas pezullimit të vendimit të reformës